Mesazhi i zyrtarit gjerman, Meta: Të dëgjojmë avokatët seriozë për të ardhmen e Shqipërisë

Presidenti Ilir Meta, reagon pasi zyrtari i lartë gjerman, Christian Schmidt, kërkoi që ndryshimet kushtetuese të mos bëhen pa konsensus dhe për të favorizuar njërën palë.

Duke ndarë qëndrimin e politikanit të lartë të partisë së kancelares Angela Merkel, Meta shkruan, “Koha për t’i dëgjuar avokatët më seriozë dhe më të besueshëm për të ardhmen europiane të Shqipërisë!”

Me anë të një mesazhi në rrjetet sociale Schmidt deklaroi se Partia Socialiste po tenton ndryshime jashtë marrëveshjes së 5 qershorit.

“Me shqetësim të madh po shoh se Partia Socialiste po tenton ndryshime të tjera jashtë marrëveshjes: konkretisht po tenton heqjen nga Kushtetuta të së drejtës për koalicione parazgjedhore. Për të favorizuar vetveten? Bëni kujdes! Ndryshime të tjera bëhen vetëm, nëse partitë e rëndësishme brenda dhe jashtë parlamentit bien dakord për to”, shkroi ai.

Schmidt shpreh bindjen se Kryeministri Edi Rama, i cili është edhe kryetar i radhës së OSBE-së, do ta mbrojë frymën e marrëveshjes së 5 qershorit mes të gjitha partive.

“Besimi reciprok është i domosdoshëm!”, shkroi zyrtari gjerman. /a.y/noa.al

Zyrtari i lartë gjerman: PS po del nga marrëveshja, jo ndryshime kushtetuese pa konsensus